Aktualitet Zgjidhet problemi i shpronësimeve në bypass-in e Vlorës, Balluku kërkon përshpejtim të...

Zgjidhet problemi i shpronësimeve në bypass-in e Vlorës, Balluku kërkon përshpejtim të ritmeve të punës

Në Vlorë po vijojnë punimet për ndërtimin e bypass-it, një investim i cili lehtëson qarkullimin e automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik, duke bërë më të aksesueshëm bregdetin e jugut.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan ecurinë e punimeve në segmentin e dytë të kësaj vepre.

Drejtori Verdho teksa bëri të ditur ecurinë e punimeve, tha se tashmë me zgjidhjen e problemit të shpronësimeve, pritet që ecuria e tyre të jetë me ritme më të shpejta. “Në pjesën e dytë të këtij segmenti punimet ecin me ritme të mira. Gërmohet dhe mbushet në të njëjtën kohë me materialin e vendit. Kemi zgjidhur problemin e shpronësimeve tashmë, që ka mbajtur peng këtë projekt prej kohësh, për shkak të certifikatave të pasurive, të cilat vinin një nga një nga banorët e zonës”, u shpreh Verdho.

Ministrja Belinda Balluku tha se pavarësisht problematikave të evidentuara, punimet në këtë segment të bypass-it të Vlorës kanë ecur me ritme të kënaqshme. Ministrja nënvizoi se ndërtimi i kësaj vepre do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik kur edhe fluksi i vizitorëve në qytetin e Vlorës, dhe gjithë bregdetin e jugut, është i lartë.

“Jemi të gjithë së bashku këtu sot, pasi bashkia luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë projekt. Ky është një projekt madhor, që do të ndihmojë aksesin e trafikut, që vjen nga qendra e vendit në drejtim të jugut, por sigurisht do jetë dhe një artierie lehtësimi për qarkullimin e brendshëm”, theksoi ministrja Balluku.

Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkinë e Vlorës, për të zgjidhur në kohë, çdo problematikë që mund të dalë gjatë procesit të punës dhe nga ana tjetër kërkoi nga firma kontraktore një ritëm të përshpejtura të punimeve.

“Ne kërkojmë bashkëpunimin, ndaj dhe roli i bashkisë është shumë i rëndësishëm për të lehtësuar edhe kontraktorin për të ecur përpara. Kërkojmë dhe nga kontraktori që të ketë impenjim maksimal”, u shpreh Balluku.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Leli shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton me qëllim avancimin e punimeve për përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme. “Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm zhvillimor në konsolidimin e perspektivës turistike të Vlorës dhe të gjithë jugut të Shqipërisë. Absolutisht ndihem i kënaqur me çfarë shikoj, sepse këtu është bërë një volum punimesh dhe ka një ritëm të pëlqyeshëm, që na bën të gjithëve që të ndihemi mirë. Do të keni absolutisht mbështetjen e bashkisë së Vlorës për zgjidhjen e çdo problematike që shfaqet në territor sidomos në zonën e Kaninës.”, deklaroi Dritan Leli.

Projekti i bypass-it të Vlorës, me gjatësi prej 29 kilometrash, nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.