Politika “Zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë”, Gjokutaj zbulon nëse Berisha...

“Zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë”, Gjokutaj zbulon nëse Berisha do të paraqitet në SPAK

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj është prononcuar për mediat pak pasi Apeli i Posaçëm caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili do të duhet të shkojë para oficerit të policisë gjyqësore në SPAK, dy herë në muaj.

Gjokutaj tha se vendimi i sotëm është i paqartë, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë tjetër nga prokurori në seancë përveç asaj për rivendosjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

“Në një vendimmarrje të çuditshme Gjykata e Apelit mbi ankimin e prokurorit, me bazën e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për zotin Berisha vendosi kryesisht zëvendësimin masës. Ne jemi të paqartë me këtë vendim, për shkakun e vetëm sepse objekti i këtij gjykimi ishte kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkohë që nuk kishte një kërkim tjetër nga prokurori. As në sallën e gjyqit, ai i qëndroi arrestit në shtëpi. Nëse do të kishte kërkim nga prokurori, të gjendej rruga ligjore për zëvendësimin e masës së sigurisë, por nuk ishim në këto kushte”, tha Gjokutaj.

Në vijim ai akuzoi Apelin e Posaçëm se është i kapur, njëjtë si Gjykata Kushtetuese, ndërsa për vendimin tha se është zgjidhja më e keqe për çështjen ku akuzohet Sali Berisha.

“Po kjo gjykatë nuk është më pak e kapur sesa Gjykata Kushtetuese dy herë, e cila e shtyn gjyqin për shkaqe objektive. Gjykata  Kushtetuese, e cila detyrim për paraqitje e quan kushtetues. Ju e dini gjithë këtë sagë që ka ndodhur dhe sot ndodhemi përpara këtij vendimi, detyrimit për tu paraqitur para policisë gjyqësore, dhe vijmë sërish në krye të herës. Vendimi nuk është zbardhur, por është zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë pasi nuk ka zgjidhur asnjë lloj problemi, por ka hapur një kapitull të ri që sigurisht ne do ta ndjekim”, u shpreh Gjokutaj.

I pyetur se nëse Berisha do të paraqitet në policinë gjyqësore pas vendimit, Gjokutaj tha se “nuk bëjmë parashikime, vendimmarrja është e Berishës”.