Politika “Zgjohet i buavitur dhe i shpall luftë Greqisë”, Rama tallet me kandidatët...

“Zgjohet i buavitur dhe i shpall luftë Greqisë”, Rama tallet me kandidatët e PD në Tiranë

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka komentuar listën e kandidatëve të opozitës së bashkuar për zgjedhjet e 25 Prillit. Nga selia rozë, Rama foli me emra konkretë për listën e Partisë Demokratike në Tiranë, ku janë përfshirë edhe kryetarët e partive të vogla aleate të demokratëve.

“Nuk e di cili është ai qytetar që e ka zemrën djathtas që në Tiranë do dalë nga shtëpia të votojë një skuadër ku kapiteni është Sali Berisha dhe ku janë me radhë 1 në 2 fosilet e Shqipërisë. Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, dhe natyrisht dezdemona Mesila Doda, Dash Shehi. Është e pabesueshme. Kjo është një skuadër  e futur për të mbajtur bashkë lojtarët në fushë në mënyrë që njëri të mos dehet në stol, tjetri mos vjedhë tutat e të tjerëve në stol, tjetri mos marri stolin dhe të iki në shtëpi. Dhe kjo është alternativa për Shqipërinë?

Me Fatmir Mediun fiton Shqipëria? Me Fatmir Mediun fitojnë pronarët që ka që ditën që vdiq i ndjeri Sabri Godo që i mori vulën e futi në xhep dhe me atë vulë vetëm një certifikatë prone ka vulosur Mediu, vendin si deputet në parcelën e PD. Shpëtim Idrizi? Sekseri i Çamërisë që zgjohet nga gjumi në orën 2 edhe del i buavitur në televizor i hap luftë Greqisë. Vangjel Dule në Tiranë? Çfarë do Vangjel Dule në Tiranë? Apo se nuk e voton më njeri në Sarandë apo minoritet në Gjirokastër?

Se Mesilën e kuptoj, e kanë futur se do më lidhi mua me zinxhir pasi dogji palmën te Kryeministria. Është katastrofë. Jam i keqardhur dhe zhgënjyer. Qytetarët e Tiranës kanë mundësinë të zgjedhin midis 2 pensionistëve, Luljeta Bozos dhe Sali Berishës. Dhe do zgjedhin Saliun? Kjo është e reja që sjell PD për pensionistët? Edhe Luli në krye të listës, se dhëndri vihet gjithmonë në ballë edhe pastaj është gjithë fisi që i shkon mbrapa për të shkuar në dasmë”, tha ndër të tjera Rama.