I mbijetuari i vetëm i aksidentit tragjik me teleferik në Itali, 5-vjeçari Eitan Biran ka dalë nga koma.
Sikurse njoftojnë mediat italiane, vogëlushi ka pyetur për prindërit e tij, ndërsa ende nuk i është dhënë lajmi tragjik.
“Më dhemb fyti, ku janë mami dhe babi?”, mësohet të ketë thënë Eitan, i cili ndodhet në Spitalin e Fëmijëve Regine Margherita në Torino,
Vogëlushi humbi prindërit Amit dhe Tal, vëllain dy vjeçar Tom dhe gjyshërit e tij, kur kabina ra në një lartësi prej 20 metrash në malin Mottarone afër liqenit Maggiore në veri të Italisë. Aksidenti përfundoi me 14 viktima, përfshirë pesë anëtarë të familjes së 5-vjeçarit.
Halla e Eitanit e cila punon si mjeke në Itali po qëndron pranë tij dhe po përgatitet t’i japë lajmin tragjik.
Ndërkaq, deri tani tre familje kanë kërkuar të birësojnë vogëlushin, ndërsa dhurata dhe ndihma të shumta kanë shkuar në ndihmë të tij.