Bllokohet dërgimi i listave në Parlament për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Shkak është bërë shqyrtimi që duhet për kandidaten Zhaklina Peto, pasi gjykata Administrative rrëzoi më parë KED.
KED më parë e skualifikoi Peton me argumentin se kishte probleme me pasurinë, ndërsa Gjykata Administrative e riktheu në garë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e bazoi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos në raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se ajo “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.
Sipas ILDKPKI, Zhaklina Peto ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit me sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.
Zhaklina Peto ka hedhur poshtë pretendimet e ILDKPKI-së e cila ka theksuar se ndërtimi pa leje është bërë nga shitësi i pronës, ndaj edhe shtesa ka qenë e paregjistruar.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit, e çon në pesë numrin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që mund të emërohen nga KED.
KED do të presë vendimin e zbardhur nga apeli për rastin Peto.
Kreu i KED, Ardian Dvorani kishte deklaruar se për pak ditë lista me të kualifikuarit do të dërgohej në Parlament e Presidencë, ndërsa prej disa ditësh ka rihapur garën për një vakancë në Kushtetuese.