Pas ndryshimit në pankinë, ku u largua Antonio Conte dhe u emërua Simone Inzaghi, presidenti i Interit, Steven Zhang ka folur për “La Gazzetta dello Sport,” ku ka theksuar nevojën për të regjistruar një plusvalencë deri në fund të këtij sezonit të merkatos.
“Është e nevojshme që të regjistrojmë një fitim deri në fund të këtij sezoni të merkatos dhe drejtuesit po bëjnë më të mirën për t’ia dalë. Duam që të arrijmë objektivat financiarë, por njëkohësisht të rritim forcën e skuadrës”, u shpreh presidenti zikaltër.
Ai ka përgënjeshtruar zërat për një shitje të klubit zikaltër:
“Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur asnjë ofertë për blerjen e klubit. Në këtë fazë pas pandemisë nuk është e lehtë të gjesh grupe të gatshme të investojnë në futboll, që aktualisht është një sistem ku humben para çdo vit”, ka thënë numri një i klubit milanez.
Sa i përket objektivit për të ardhmen, Zhang pranoi se synim do të jetë jo vetëm mbrojtja e titullit kampion, por edhe një rrugëtim sa më i gjatë në Ligën e Kampionëve, kompeticion me të cilin zikaltrit nuk kanë pasur marrëdhënie të mira vitet e fundit.
“Jemi të lumtur që fituam titullin dhe do të provojmë ta bëjmë sërish, ndonëse nuk do të jetë e lehtë, pasi çdo fillim-sezoni ka 6-7 skuadra që e lakmojnë këtë trofe. Duam gjithashtu që të bëjmë një rrugëtim sa më të gjatë në Champions dhe pse jo të fitojmë edhe atë trofe, pasi duam të mbetemi në listën e klubeve më të mëdha europiane”, tha Zhang.
Bosi kinez i zikaltërve ka folur edhe për emërimin e Simone Inzaghit në pankinë, duke zbuluar se është emri i duhur për të mbajtur ekipin konkurrues dhe njëkohësisht solid në aspektin financiar, teksa ka përshkruar me fjalë të mira edhe Antonio Conten.
“Conte është një fitues dhe ishte njeriu që piketuam për ta sjellë te Interi që kur blemë aksione e klubit. Erdhi me dy vite vonesë, por investuam te ai, pasi e dinim që është fitues. Tani kemi marrë Simone Inzaghin, një trajner që ka bërë një punë shumë të mirë aty ku ka qenë dhe e dimë që do ta mbajë ekipin në nivele konkurruese. Në bashkëpunim me drejtuesit, do të krijojnë edhe një soliditet financiar, mjaft të rëndësishëm në këto momente”, tha numri një i zikaltërve.