Bota “Zhduket” Kim Jong Un, mungon në festën më të rëndësishme të Koresë...

“Zhduket” Kim Jong Un, mungon në festën më të rëndësishme të Koresë së Veriut

Më 15 prill është festa më e rëndësishme e Koresë së Veriut, Dita e Diellit. Shteti komunist feston ditëlindjen e themeluesit të vendit Kim Il Sung, dhe në të kaluarën është festuar me ngjarje të mëdha, si lëshime satelitore, apo parada masive ushtarake.

Por, këtë vit festimet ishin shumë të vakëta, ndërsa lideri Kim Jong Un nuk është shfaqur në publik, e pazakontë kjo.

Në pamje të parë, pandemia e koronavirusit është faktori kryesor që ka ndikuar. Megjithatë, Koreja e Veriut nuk ka raportuar asnjë raste deri tani me Covid-19, edhe pse ekspertët e shëndetit publik kanë dyshime të mëdha.

Shteti komunist e ka marrë shumë seriozisht pandeminë. Koreja e Veriut izoloi totalisht kufijtë edhe turistët dhe karantinoi diplomatët e huaj, të cilët u larguan më pas. Media shtetërore përsërit vazhdimisht këshilla për higjienën, ndërsa kanë raportuar edhe hapat që qeveria është duke marrë.

Kufizimi i festimeve në Ditën e Diellit mund të ketë qenë një veprim për të shmangur grumbullimet. CNN shkruan se qëndrimi larg festimeve i Kim është edhe një mënyrë për të mbrojtur liderin nga ekspozimi i mundshëm ndaj virusit.