Aktualitet Zhdukja e Jan Prengës, arrestohet një nga organizatorët: Aldo Majnishta fshihej në...

Zhdukja e Jan Prengës, arrestohet një nga organizatorët: Aldo Majnishta fshihej në Kosovë me identitet tjetër

Personi që shihni në foto është Aldo Majnishta, i arrestuar në Kosovë, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga organizatorët e rrëmbimit e më pas vrasjes së Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 Janar 2020. Arrestimi i 29-vjeçarit, u krye falë shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj te Kosovës.

Në momentet e ndalimit, Majnishta ka paraqitur dokumenta me identitet tjetër, por më pas nga verifikimet ai ka rezultuar se ishte person në kërkim për llogari të autoritetetve shqiptare.

Për 29-vjeçarin, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar në vitin 2020 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Majnishta ishte mes 7 personave që SPAK mori të pandehur si organizator të ngjarjes së rëndë të regjistruar 3 vite më parë në Kamëz.

Hetimet treguan se shkak për mbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, aktualisht në kërkim të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë kopshtarin e resortit Golden si dhe me 3 vite burg Olsi Turjen.