Familjarët e Klement Pepajt tregojnë momentet e fundit me djalin e tyre i cili rezulton i zhdukur së bashku me dy të rinj prej së shtunës, 3 tetor 2020 në Malësi të Madhe.
“Nga ora 04:00 e mëngjesit të së dielës na erdhi policia dhe na pyeti për djalin. Nuk e dija se djali im nuk ishte në shtëpi”, thotë i ati.
Babai dhe nëna e Klementit kanë një thirrje për ministrin Lleshaj: “Na e gjeni djalin një orë e më parë. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm të vërë në dispozicion çdo mjet nga toka e ajri, të urdhërojë krehjen e zonës të dimë çfarë ka ndodhur. Nëse ka vdekur të paktën të marrim kufomën në shtëpi”.
“Me thanë se e ka vrarë Danieli“
Babai thotë se sipas bisedave që ka dëgjuar në fshat djali i tij mund të jetë vrarë nga Danieli.
Nush Pepaj, babai: Denoncimin e bëri vëllai i Vilson Çutës. E ka marrë në telefon dhe nuk i ka dalë. Kanë marrë në drejtim të malit siç thonë dhe asnjëri nuk është kthyer. Klementi ka ardhur para një viti pasi e ekstraduan nga Zvicra.
Kam frikë mos ma ka impliku kush në ndonjë problem. Sipas versionit që i kanë dhënë policisë disa bashkëfshatarë, thonë se ka pasur probleme droge. Djali i djalit axhës është parë me armë, Danjeli. Nëse më ka ba ai, unë nuk mund t’ia bëj armikut. Unë i kërkoj ministrit të Brendshëm që të vërë në dispozicion çdo mjet, që edhe në qoftë se është i dekun të bien kufomat te shpia. Këtë i kërkoj ministrit, forcave të rendit. Se kanë konflikte nuk e kam ditë. Këta në Malësi të Madhe më kanë thënë se ka pasur konflikt.
Kam pas kontakte me djalin e axhës në Malësi të Madhe. Ai tha se për dy javë djalin nuk e ka pa. Ai e ka ditë se djalin e ka në Shqipëri. Dyshimet më të mëdha tek Danjeli i kam. Ndoshta gaboj.
Nuk di që kanë pasur konflikt, por këta në Malësi të Madhe më kanë thënë që ka pasur konflikt. Këtu më kanë thënë që djali im, Vilsoni dhe Danieli janë përleshur. Dyshimet më të mëdha i kam tek Danieli. Sipas disa versioneve që më kanë thënë të tjerët nuk di tek kush të dyshoj tjetër”.
Nëna: Tha se po dal të pi një kafe dhe po vij. Nuk kemi ditë gjë, vetëm kur ka ardhur policia në 3 të natës. Atë natë, nuk kishim drita dhe u ulëm me fjet. Kur këqyrëm, nuk ishte djali aty. Shkuam në komisariat. I kallëzuam çfarë ditëm. Ne nuk dinim kurrgjë.
Personat e zhdukur janë: Vilson Pal Çutaj, i datëlindjes 20.11.1983, banues në fshatin Bajzë, bashkia Malësi e Madhe. Klement Nush Pepaj, i datëlindjes 15.01.1999. Danjel Rrok Pepaj, i datëlindjes 17.09.1995.
Njoftimi i policisë
“Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, ka bërë kallzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, se me datë 03.10.2020, rreth orës 15:00, ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin V. Ç. 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinj) shtetasit K. P. 21 vjeç, dhe D. P. 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe.
Shërbimet e Policisë pas kallzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve“.