Aktualitet Zhvarroset një kufomë në Librazhd, dyshime se i përket Renit të Elbasanit

Zhvarroset një kufomë në Librazhd, dyshime se i përket Renit të Elbasanit

Prokuroria e Elbasanit ka rihapur hetimet për zhdukjen e këngëtarit të muzikës tallava, Renato Hamzës, i njohur si ‘Reni i Elbasanit’.

Burimet bëjnë të ditur se mëngjesit të djeshëm punonjës të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar që dyshohet se i përket Renato Hamzës, i njohur si Reni e Elbasanit.

Po sipas të njëjtave burime, pritet që të kryhet analiza e ADN-së për të konfirmuar nëse bëhet fjalë pikërisht për Renin.

‘E kemi ditur gjithmonë që ishte trupi i tij’, flet nëna e ‘Renit të Elbasanit’

Silvana Hamzai, nëna e Renato Hamzait (Reni i Elbasanit) i zhdukur që në 2014 ka thënë për Euronews Albania se gjithmonë e kanë ditur që trupi i gjetur një vit më parë në një fshat të Librazhdit ishte djali i saj.

Me lot në sy ajo kërkoi zbardhjen e krimit për të cilin ajo fajëson policinë, prokurorinë dhe mjekësinë ligjore, që sipas saj kanë dorë në fshehjen e ngjarjes.

“E kemi ditur gjithmonë që ai ishte trupi i Renatos, por na e kanë mbajtur të fshehte policia dhe prokuroria!”, tha Silvana Hamzai.

Zhdukja

Ka dyshime se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarjeje kriminale që ky grup kishte kryer.

Renato Hamza për herë të fundit është filmuar në Elbasan i shoqëruar nga Indrit Shaqja, i cili sot është në qeli, i dënuar me burg përjetë për një tjetër ngjarje kriminale dhe nga Deniz Xhija.

Këta dy persona dyshohet ta kenë nxjerrë në pritë dhe më pas rrëmbyer Renato Hamzën, për llogari të një grupi në Shijak. Denis Xhija u arrestua në Kolumbi më 26 shtator, për llogari të autoriteteve rumune.