Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka reaguar lidhur me zbardhjen e skemës së zhvatjes së pacientëve me tumor te Onkologjiku.
Në një prononcim për mediat, ministrja Koçiu ka thënë se 7 mjekët e Spitalit Onkologjik në Tiranë të përfshirë në këtë skemë nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë.
Më tej, ministrja ka shtuar se ata persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik.
“Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë, të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja.
Sjellim në vëmendje se një hetim i nisur rreth 1 vit e gjysmë përpara ka zbuluar një skemë abuzimi me qytetarë të sëmurë me tumor, ku të përfshirë kanë dalë 7 mjekë të Spitalit Onkologjik në Tiranë.
Për ta, Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë “detyrim paraqitje”, me përjashtim të njërit prej tyre Edmond Gashit, të cilin togat e zeza e kanë lënë në arrest shtëpie.
Mjeku Gashi dyshohet të jetë dhe organizator i kësaj skeme. Ai në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij, Halil Gashi.
Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash. E dhënë kjo që faktohet edhe nga përgjimet e realizuara nga prokuroria dhe krimi ekonomiko financiar në policinë e Tiranës.