Zhytësja e njohur turke,Şahika Ercümen, është bërë së fundmi pjesë e një ekipi turk që po udhëton në Antarktidë, për të krijuar një bazë të përkohshme për kërkime që do të mundësojë rritjen e profilit të Turqisë në komunitetin shkencor ndërkombëtar.
“Do të jem një nga zhytëset e rralla si dhe gruaja e parë turke e zhytjes së lirë në Antarktidë”, është shprehur në fillim të udhëtimit të saj nënujor Ercumen. Por pavarësisht kësaj deklarate, ajo ka theksuar se nuk planifikon të futet në vorbullën e rekordeve.
Sahika Ercumen është pjesë e një misioni që do të zgjasë 30 ditë. Ajo është zhytur deri më tani pranë ishullit “King George”, që ndodhet 75 milje larg bregut të Antarktidës.
Ndërsa në javët e ardhshme, Ercumen planifikon të zhytet në një vend ku balenat, pinguinët dhe fokat nuk kanë pasur asnjë kontakt me qeniet njerëzore.
Në vitin 2018, Ercumen theu rekordin botëror të femrave për zhytje të lirë në ujra të ëmbla, duke u zhytur në 65 metra.