Sport Zidane e poshtëroi sërish, divorc total mes Iscos dhe Realit

Zidane e poshtëroi sërish, divorc total mes Iscos dhe Realit

Raportet e Zinedine Zidane me Iscon arrijnë pikën më të ulët. Trajneri francez injoroi sërish fantazistin spanjoll në sfidën e fundit ndaj Getafes ku pavarësisht dëmtimeve e la sërish lojtarin në stol dhe në vend të tij preferoi ata të akademisë, si Marvin dhe Arribas. Ky është sinjali më i qartë që Isco nuk do të luajë më te madrilenët nëse në krye do të jetë Zidane ndaj dhe fati i trajnerit në fund të sezonit do të vendosë edhe atë të fantazistit spanjoll.

Marrëdhënia mes të dyve, trajnerit dhe lojtarit, tashmë konsiderohet e pariparueshme. Ajo që tha Isco para “El Clasico” së fundit, më 24 tetor, e cila u kap nga kamerat e Movistar (“nëse trajneri duhet të më aktivizojë, të më hedhë në fushë në 50’ ose 60′ të lojës. Duhet të vendosë, mos të më aktivizojë në 80’) duket se ka bërë të vetën.

Që atëherë, ai ka luajtur vetëm 12% të minutave të mundshme, në 23 ndeshjet që kanë kaluar. Për më tepër, ka startuar vetëm në dy nga ato ndeshje, kundër Valencia në La Liga dhe Alcoyano në Kupën e Mbretit. Isco ishte i pari që tha se donte të largohej nga Madridi (para Odegaard dhe Jovic). Në dimër nuk mundi ta bënte këtë për shkak të mungesës së ofertave.