Rikthimi i Zinedin Zidane në Madrid pritet të shoqërohet me një lumë afrimesh. Sipas medieve spanjolle, francezi do të ketë pushtet absolut në radhët e “Los Blancos”. Plot 5 vite kanë kaluar nga hera e fundit kur Realit afronte në radhët e veta një “galaktik”, James Rodriguezin, pavarësisht se më pas kolumbiani nuk rezultoi i tillë. Mbretërorët do t’u rikthehen transferimeve të bujshme dhe sipas gazetës spanjolle AS është përpiluar edhe lista.
Kylian Mbappe mund të kishte qenë një lojtar i Realit në verën e 2017-ës, por PSG u tregua me i shpejtë. Sulmuesi është një njohje e vjetër e Zidane që nga koha kur Mbappe luante me ekipet e moshave. Pavarësisht se “ylli” i parizienëve vetëm pak ditë më parë deklaroi se nuk do të largohet nga Parisi, rikthimi i Zidane mund të bëjë që sulmuesi të ndërrojë mëndje.
Eden Hazard është një tjetër objektiv. Vetë belgu shpesh e ka pranuar se ideja për të luajtur me Realin i pëlqen. Aftësitë e Hazard Zidane i vlerëson shumë, por lojtari ka një kontratë me blutë e Londrës deri më 2020-ën dhe fakti që Chlesea është penalizuar nga FIFA për pjesën e merkatos (nuk i lejohet të afrojë lojtarë) bën që tratativat të jenë të komplikuara. Sidoqoftë, Chelsea prej kohësh ka siguruar shërbimet e Pulisicit dhe ndoshta ardhja e tij mund t’i hapë rrugë largimit të belgut drejt Madridit.
Premier League është destinacioni i preferuar i Zidane. Sadio Mane sot mund të ishte një lojtar i Realit, por gjatë kohës kur Zidane dha dorëheqjen dhe në stol erdhi Lopetegui, sulmuesi vendosi të tërhiqej dhe të vazhdonte aventurën në “Anfield”. Gjithsesi këtë herë Mane ndoshta mund të bëhet një “galaktik”.
Pol Pogba. Për mesfushorin, Manchester United kërkon 150 milionë euro. Në vitin 2016, kur u largua nga Juventusi për fare pak mund të ishte transferuar në Madrid. Mbetet për t’u parë nëse me kthimin e Zidane interesi do të jetë i njëjtë për francezin.
Është e pamundur që në këtë listë të mos jetë emri i Neymarit. Deklaratë pas deklarate sulmuesi ka këmbëngulur se nuk largohet nga PSG, por eliminimi nga Championsi ndoshta e ka bërë të ndërrojë mendje.
Harry Kane, edhe pse është përfolur shumë, është pistë e cila ka rënë poshtë. Zidane nuk ka ndërmend të shpenzojë 250 milionë euro për sulmuesin e Tottenham.
Në listë është edhe një mbrojtës, Militao i Portos. Shpejtësia dhe fiziku i tij pëlqehen nga Zidane dhe 50 milionë euro është një shumë e pranueshme për një goditje të tillë. Merkato verore do të ketë si kryefjalë Realin e Madridit. Rikthimi i “galaktikëve” është vetëm çështje muajsh.