Zërat që kanë qarkulluar orët e fundit për një interesim të Floretino Perez ndaj Joachim Low, kanë krijuar një efekt zinxhir dhe zhurma nga Madridi ka dërguar jehonën deri në Torino.
Presidenti i bardhezinjve Andrea Agnelli ëndërron që në një të ardhme, ndoshta pas përfundimit të kontratës së Massimiliano Allegrit të shohë francezin në stolin e Juves.
Ndërkohë edhe sinjali i dhënë nga Zidane rrit më shumë besimin.
“Te Real Madrid jam një si gjithë të tjerët, jam kalimtar. Kam një kontratë deri në 2020, por nuk do të thotë asgjë”, u shpreh pak ditë më parë në konferencën për shtyp trajneri i Real Madrid.
Në 2016 francezi kampion bote kishte konfirmuar se “lidhja me Juven është shumë e veçantë, e ndoshta një ditë mund të kthehem në Torino si trajner”.
Këto indicie janë mbajtur shënim nga Agnelli që nga ana e tij e di shumë mirë që edhe për trajnerin aktual Massimiliano Allegri do të ketë një fund cikli dhe një lidhje e mundshme me francezin do të realizonte një ëndërr të vjetër.
Rrugëtimi në këto dy vitet e fundit duket se e kanë rikthyer në skenë me atë klasin që kishte si futbollist francezi.
Një Ligë e Spanjës, 2 Champions League, si edhe Superkupa e Evropës dhe Botërori për klube janë dëshmi të pakundërshtueshme të gjenialitetit të tij në futboll.
Rrugëtimi deri tani ka qenë perfekt, duke shuar në pak kohë të gjitha dyshimet e një rishtari në pankinë.
Por marrëdhënia me Realin nuk mund të jetë përgjithnjë idilike dhe Juve është e pashmangshme në rrugëtimin e tij të gjatë.
Dhe Agnelli ka të drejtë që të ëndërrojë dhe ta mendojë një rikthim në shtëpinë e vjetër.
Deri më tani dëshira mbetet thjeshtë dhe vetëm në kuadrin e një ëndrre, por fakti është se të dy palët e kanë shprehur hapur dëshirën që një ditë të bashkëpunojnë.