Real Madridi e humbi 3-0 “El Classico”-n e ditës së sotme në “Bernabeu”. Barcelona fiton për herë të tretë radhazi, si asnjëherë më parë në histori, ndaj “Los Blancos”. 14 pikët avantazh ndaj skuadrës së Zinedine Zidane e bëjnë thuajse mission të pamundur mbrojtjen e titullit në La Liga për kampionët në fuqi të Spanjës dhe të Europës. Zidane foli për mikrofonat e “Bein Sport” pas ndeshjes: “E kemi filluar shumë mirë lojën. Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa në të dytën kemi gabuar. Eshtë një humbje që dhemb, sepse pësuam tre gola. Mendoj se nuk është rezultati i drejtë me ndeshjen, por ky është futbolli. Tani është shumë e vështirë për ne. Formacioni? Me Kovacic në fushë donim të silleshim ndryshe, sepse duhej ta kishim një sy veçanërisht nga Messin. Mateo e bëri mirë këtë detyrë. Kjo është ajo që ne kishim vendosur para ndeshjes. Tani lojtarët duhet të shkojnë me pushime, le të mos mendojnë për këtë. Të gëzojnë me familjet e tyre dhe të kthehen. Merkato? Tani nuk mund të flas për këtë”.
Valverde: S’e marrim Real Madridin për të vdekur…
Ernesto Valverde analizoi triumfin e Barçës në “Bernabeu”, me rezultatin 3-0. Në intervistën “flash” për “beIN Sports”, trajneri i Barçës siguron se fitorja kundër Real Madridit dhe 14 pikët avantazh në krye të renditjes, që i kanë mbi të bardhët, nuk janë përfundimtare për titullin në La Liga. “Gjithçka mbetet për t’u vendosur,” – tha ai.
“Ne jemi të lumtur, sepse fituam ndaj një ekipi të shkëlqyer, në fushën e tij. Kjo është një ndeshje klasike, mjaft e rëndësishme për t’u fituar, aq më tepër në shtëpinë e kundërshtarit. Ne jemi ende në fazën e parë të kampionatit dhe ka shumë ndeshje të tjera për t’u luajtur. Kjo nuk do të thotë asgjë, pasi gjithçka mbetet për tu vendosur, sa i takon titullit.
Ne kurrë nuk e morëm Real Madridin për të vdekur. Patëm posedim, por nuk e filluam shumë mirë. Kundërshtari krijoi më shumë rrezik për ne me 11 lojtarë se sa me 10”, tha Valverde.