Aktualitet Zjarr i fuqishëm te Metalurgjiku i Elbasanit, reagon policia

Zjarr i fuqishëm te Metalurgjiku i Elbasanit, reagon policia

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë ditën e sotme pikën e grumbullimit të skrapit, në Metalurgjikun e Elbasanit.

Për pasojë, tymi ka mbuluar gjithë zonën, ndërsa dyshohet që zjarri të ketë ardhur si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike në pikën e grumbullimit të skrapit.

Ndërkohë policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, për të zbardhur shkaqet e këtij shpërthimi dhe nëse ka persona të lënduar.

“Elbasan/Informacion paraprak: Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit.

Ndërkaq, grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.