Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënuar në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një foshnje 6 muajshe.
Një banesë u përfshi nga flakët në rrugën “Gani Domi” dhe shkak për këtë dyshohet se ka qenë shpërthimi i një bombole gazi.
Si pasojë humbi jetën foshnja 6 muajshe, ndërsa gjyshja e tij u dëmtua dhe ndodhet në spital.
Në momentin që ka rënë zjarri, gjyshja ndodhej në bodrum, ndërsa nëna e foshnjes nuk ishte në shtëpi.
Kur ka shpërthyer bombola gjyshja ka dalë jashtë duke thirrur banorët e tjerë, ndërkohë që banesa brenda të cilës ndodhej dhe foshnja është përfshirë e tëra nga flakët.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë hapur murin për t’u futur brenda banesës pasi dritaret kanë qenë me kangjella.
Ata kanë mundur të nxjerrin jashtë foshnjën, por ky i fundit për shkak të asfiksisë humbi jetën në spital.
Sakaq gjyshja e tij, shtetasja J.L ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Njoftimi i policisë
Sot, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Gani Domi”, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht banesa e shtetases J. L.
Si pasojë ka ndërruar jetë një foshnje 6 muajshe, ndërsa shtetasja J. L., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.