Aktualitet Zjarr në qendrën komunitare për të mitur në Itali, humb jetën shqiptari

Zjarr në qendrën komunitare për të mitur në Itali, humb jetën shqiptari

Një i mitur shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një zjarri në qendrën komunitare për të mitur në Itali. 17-vjeçari shqiptar humbi jetën si pasojë e intoksikimit nga zjarri që shpërtheu gjatë natës në qendrën në Udine. Shkaqet e zjarrit të rënë rreth orës 2:30 janë ende të paqarta.

“Viktima është një djalë 17-vjeçar, një i ri shqiptar që kishte rreth një vit me ne dhe ishte vërtet një djalë shumë i mirë. Ne të gjithëve na është thyer zemra. Tani po përpiqemi të kuptojmë se çfarë e shkaktoi një zjarr kaq të rëndë”, tha menaxheri i komunitetit Michele Lisco.

Si pasojë e flakëve janë plagosur edhe dy të tjerë, një 16-vjeçar me kombësi ganeze ndodhet në gjendje të rëndë në qendrën e djegieve në Verona, ndërsa tjetri një operator i strukturës, po trajtohet në spitalin Santa Maria della Misericordia në Udine me lëndime të lehta.

Zjarri tashmë është shuar plotësisht dhe është nën kontroll. Hetimet po kryhen nga Karabinierët e Compagnia di Udine, të cilët kanë mbledhur tashmë dëshminë e menaxherit dhe po dëgjojnë nga persona të tjerë për të rindërtuar me saktësi dinamikën e fakteve.