Sipërfaqe të mëdha janë shkrumbuar nga zjarret në të gjithë vendin ditët e fundit, por autoritetet fajësojnë barinjtë për veprime të qëllimshme. Për të parandaluar këtë fenomen që përsëritet çdo vit, drejtori i zonave të mbrojtura në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit Zamir Dedej thotë se do të ndalohet dhënia në përdorim të kullotave për barinjtë të cilët i keqpërdorin.
“Shumica e zjarreve për ne janë të qëllimshme për përfitim kullotash të cilat kryhen nga barinjtë herë pas here. Asnjë nga kullotat e djegura nuk do të jepet në përdorim nga shteti për barinjtë, ata do të ndalohen t’i përdorin këto kullota”.
Dedej thotë se situata më problematike mbetet në Karaburun, ndërsa për të shmangur dëmet kolosale, duhet të vihen në dispozicion dhe avionë ujë-hedhës, të cilat autoritetet nuk i disponojnë.
“Do të ishte mirë që Shqipëria të kishte aeroplanë të cilët hedhin ujë më tepër se sa helikopterët sepse sasia e ujit që hedh një aeroplan është shumë më e madhe”.
Ndërsa për angazhimin e helikopterëve të ushtrisë kreu i zonave të mbrojtura shprehet se është mundësia e fundit që përdoret nga autoritetet.
“Ne jemi gjithmonë në kërkim të helikopterëve. Zakonisht ata kërkojnë që të ezaurohet puna në tokë, që të fikim zjarrin dhe nuk kemi më shpresë, atëherë kryhet ndihma nga ajri”.
Institucionet shtetërore e vënë theksin dhe tek mangësitë në ligj për të dënuar personat që ndezin zjarre me qëllim, pasi sipas tyre referohen nga prokuroria por janë gjykatat që nuk i dënojnë.
Presidenti Meta kërkon ndërhyrje emergjente: Janë mbi 70 vatra aktive
Presidenti Ilir Meta ka reaguar mbrëmjen e sotme lidhur me zjarret e shumta që kanë përfshirë vendin tonë. Në një deklaratë, Meta shprehet se po ndjek me shqetësim situatën e përhapjeve të flakëve në disa qarqe të vendit.
“Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë, për të qenë në gatishmëri për situata të papërballueshme për kapacitetet lokale, në përgjigje edhe të paralajmërimeve të bëra më herët nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit”, shprehet Meta.
Në reagimin e tij Presidenti shprehet se situata është shumë e rrezikshme dhe sipas tij janë mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Më tej u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë në kohë dhe hedh akuza se ka pasur një neglizhencë të situatës.