Situata e zjarreve në Greqi vazhdon të mbetet kritike. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një dalje për mediat, iu bëri të ditur qytetarëve që nata do të jetë e vështirë.
Sipas tij, vendi është duke u përballur me një situatë jashtëzakonisht kritike.
“Pas 10 ditësh ne jemi të thirrur për të menaxhuar dhjetëra zjarre pyjorë njëkohësisht. Tri prej tyre, në Atikë, Evia dhe Ilia janë me përmasa dhe intensitet të madh. Prioriteti ynë është gjithmonë mbrojtja e njerëzve. Kjo pasohet nga mbrojtja e pronës, mjedisit natyror dhe infrastrukturës kritike.
Fatkeqësisht, në këto rrethana, arritja e të gjitha këtyre qëllimeve në të njëjtën kohë është thjesht e pamundur. Fatkeqësisht, vështirësitë janë ende para nesh dhe nata e ardhshme është kërcënuese. Nesër presim erëra të forta perëndimore në shumë zona të vendit tonë. Po flasim për kushte të pashembullta pasi kanë paraprirë shumë ditë nxehtësie intensive që e ka kthyer vendin në një fuçi pluhuri. Unë iu bëj thirrje të kufizoni udhëtimet e panevojshme dhe të jeni jashtëzakonisht të kujdesshëm. Nëse lëshohet një urdhër evakuimi nga një zonë, ju lutemi respektojeni.
Shtëpitë do rindërtohen dhe pemët do të mbijnë përsëri, por jeta njerëzore nuk mund zëvendësohet”, deklaroi kryeministri grek.