Bota “Zjarret zombi” kërcënojnë Francën, në Gjermani dhe Angli thahen lumenjtë

“Zjarret zombi” kërcënojnë Francën, në Gjermani dhe Angli thahen lumenjtë

Një zjarr i madh që ka shkatërruar më shumë se një duzinë shtëpish dhe çuar në evakuimin e mijëra banorëve po përhapet në rajonin Gironde, në jug-perëndim të Francës.

Autoritetet dyshojnë se situata e krijuar është pasojë e të ashtuquajturve “zjarret zombi”, një zjarr i hershëm që digjet në tokë dhe më pas ndizet përsëri.

“Ka gjasa që zjarri të jetë përhapur nën tokë dhe më pas të ketë filluar sërish në zona të gjelbërta. Në këtë pikë, flakët, gjithashtu për shkak të thatësirës dhe mungesës së lagështirës, rifilluan me shpejtësi dhe rindezën pishat”, thotë një zjarrfikës.

Rreth 1 mijë zjarrfikës po luftojnë me flakët që kanë shkrumbuar 6 mijë hektarë pisha që prej pasdites së të martës.

Temperaturat përvëluese në Evropë, të shoqëruara nga mungesa e shiut, po prekin lumenjtë e mëdhenj të kontinentit. Autoritetet në Gjermani po paralajmërojnë se niveli i ujit në Rehn mund të arrijë kuotë kritike në ditët e ardhshme, duke vështirësuar transportin e mallrave në të.

Ndërsa në Angli, ku për shkak të të nxehtit është shpallur një alarm kujdesi për shëndetin, burimi kryesor i lumit Tamiz po thahet.

Fillimi më i thatë i këtij viti në dekada ka zhvendosur burimin e lumit ikonë anglez milje të shumta poshtë rrymës, duke lënë pas tokë të djegur dhe pellg të herëpashershëm ku dikur rridhte uji.