Në fundjave një zjarr ra në vendgrumbullimin e plehrave në Elbasan, dhe kjo sipas Sali Berishës, tregoi qartë se me inceneratorin që ndodhej aty pranë vatrës qytetarëve ju vodhën 28 milionë euro.
Në një deklaratë për mediat, Sali Berisha iu referua inceneratorit si një rrangallë pa funksion, “dhe këtë e dëshmon grumbulli i plehrave që ai supozohej të ishte duke inceneruar.”
“Edi Rama vlerësoi si mangësi dhe nevoja krimin e shëmtuar dhe vjedhjen e 40 milionë eurove me djegësin e Fierit, i cili sipas dokumenteve zyrtare, në pranverën e vitit 2021, u njoftua nga pronari në letër i kompanisë, Zoto, se djegësi i Fierit ka përfunduar. Të njëjtën gjë mashtruan publikun deputetët socialistë, të cilët gjatë komisionit hetimor parlamentar, bënë një vizitë në Fier dhe thanë se djegësi funksionon”, akuzoi Berisha.
Për inceneratorin e Fierit, Berisha u shpreh se thuhet se “është çmontuar nga Konstanca e Rumanisë si një impiant i viteve 70”.
Ndër të tjera, Berisha e bën përgjegjës kryeministrin Rama për korrupsionin dhe vjedhjet në vend dhe u bën thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë për të protestuar “kundër regjimit.”