Në një kohë kur situata nga zjarret në vendin tonë vijon të jetë problematike, një 49-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Durrësit për zjarrvënie. Bëhet fjalë për Artur Beqirin, i cili i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje toke, në lagjen nr.15 të këtij qytetit, ku është djegur rreth 4.000 m² me bimësi të egër kallamishte.
Edhe Policia e Fierit ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për zjarrvënie në pyjet e fshatrave Gjorgoz dhe Kreshpan.
Sipas Policisë A. M., 49 vjeç dhe Z. M., 41 vjeç, banues në Afrim i Ri në Fier, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vënë zjarrin pyllit të fshatit Gjorgoz, dy ditë më parë, ku është djegur një sipërfaqe prej 4 hektarë me shkurre e pisha.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas janë autorë edhe të zjarrvënies në pyllin e fshatit Kreshpan në datë 28 korrik
Policia e Fierit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin.