Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e Policisë së Shtetit për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve. Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se janë zbardhur 55 raste të tilla nga 79 gjithsej gjatë këtij viti duke çuar nën hetim 62 persona.
“Policia e Shtetit po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbërta. Në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht”, shkruan Rama.
Por kreu i qeverisë dënoi qasjen, sipas tij, skandaloze dhe ‘paturpësisht të papërgjegjshme’ të prokurorëve dhe gjykatësve në rrethe ndaj këtij krimi kaq të rëndë si zjarrvënia. Kryeministri i kujton ata se në ndryshimet në Kodin Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg. Por gjatë viteve të shkuara, sipas Ramës, ka pasur prokurorë që nuk kanë filluar fare çështje penale për zjarrvënësit.
“20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit. Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrëvënësit”, shprehet kreu i qeverisë.
Në fund pati një apel për këta prokurorë e gjykatës që kanë në duar rastet e zjarrvënies që të zbatojnë rreptësisht ligjin. Apel e pati edhe për organet e inspektimit të drejtësisë që të mos bëjnë sehir kundrejt këtyre prokurorëve dhe gjykatësve.
“U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë. U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit”, u shpreh Rama.