Zmbrapset furia e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama. Ai bën me dije se sapo është bërë rifreskimi i trupave që do të vijojnë gjatë gjithë natës me mbajtjen nën kontroll të situatës.
Ndërkohë zv/komandanti Pëllumb Hidri tha se nëse nuk do ishte ndalur vatra, atëherë do të hynte në pyllin e Llogarasë dhe do të ishte e pamundur për ta ndalur.
“Sapo kemi ndaluar zjarrin. Shikohet edhe vija e ndalimit. Vlen në krahun e djathtë jemi edhe 20 metra do të hynte në pyllin e Llogarasë dhe do të ishte e pamundur pastaj për ta kontrolluar. Në krahun e majtë është Llogaraja. Në anën e Dukatit është lokalizuar një vatër shumë e madhe, na ndihmuan edhe helikopterët. Nëse ne do bëjmë këtë perimetër, ne sigurojmë Llogarasë. Duke ndihmuar erërat e forta, zjarri ishte i menjëhershëm. Falë këmbënguljes sonë, arritëm ta ndalojmë”, tha majori Pëllumb Hidri.
Holanda dërgon dy helikopterë Chinook për shuarjen e zjarreve në Shqipëri
Holanda u është përgjigjur thirrjes së autoriteteve shqiptare për ndihmë në luftën kundër zjarreve, duke bërë të ditur se ka vendosur të dërgojë dy helikopterë të tipit Chinook.
Sipas njoftimit të ambasadës holandeze në vendin tonë, Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira.
“Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE -së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë. Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë Chinook. Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira. Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet Shqiptare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.