“Zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat”, ka qenë kjo deklarata simbol e raportuesit të PE-së për Shqipërinë Knut Fleckenstain, referuar drejtpërdrejt gruas në krye të LSI-së, Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte e presidentit Meta, e njëherësh krah Bashës.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, i cili u shpreh në deklaratën e tij për mediat se ishte zhgënjyer nga kryetarja e LSI gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Sipas, Fleckenstein Kryemadhi i kishte thënë se nëse europianët nuk e kuptojnë që për vendin duhet ndryshim i pushtetit, atëherë nuk është problemi i saj.
Kryemadhi përmes një deklarate të rradhës, duket se do t’i qëndrojë me kokëfortësi rrugës që ka nisur.
“Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Ky është misioni ynë, asnjë hap pas”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Vasili nuk përmbahet ndaj eurodeputetëve
Kreu i Grupi Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratës së delegacionit të PE-së në Tiranë për situatën politike në vend.
Vasili tha se eurodeputetët e kanë shikimin e turbulluar, pasi nuk shohin gjendjen në të cilën ndodhet vendi, ku sipas tij dosja ‘339’ qëndron e bllokuar dhe krimi ka blerë votat.
Ai shtoi se opozita do ketë gjithmonë një shami në dorë për të pastruar sytë e turbulluar të eurodeputetëve.
“Vota në Shqipëri është blerë nga krimi dhe fajtorët i njeh gjithë Shqipëria. Çudi që zyrtarët e BE s’kanë dëgjuar për dosjen ‘339’, e cila mbahet e bllokuar. Unaza e re është një skandal ndërkombëtar.
Nuk e shohin zyrtarët e PE se kanë shikim të turbulluar, por ne do mundohemi tua qartësojmë shikimin. Asnjë standard që është i pa pranueshëm për Europën nuk mund të jetë i pranueshëm për Shqipërinë. Korrupsioni siç luftohet në Gjermani do të luftohet edhe në Shqipëri. Opozita do ketë gjithmonë një shami në dorë për të pastruar sytë e turbulluar të eurodeputetëve”, deklaroi Vasili.
Çfarë tha Knut Fleckenstein:
“Dje patëm disa shkëmbime të mira me disa ndoshta ish deputetë. Së pari me Bashën. Ne e bëmë të qartë se ne e kuptojmë nga njëra anë argumentet e tij, por edhe nëse opozita ka të drejtë me akuzat, bojkotimi i Kuvendit nuk zgjidh problemet. U çudita, por edhe u zhgënjeva shumë nga kryetarja e LSI-së për arsye se ajo tha një fjali në fund të takimit, duke thënë që ata e kanë marrë vendimin që në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë, për vendin dhe se nëse europianët nuk e kuptojnë nuk është problemi i saj. Duhet ta kuptojnë se në cilën anë ndodhemi ne”.