Artan Hoxha ka zbuluar bisedën me Nar Kokën, vëllanë e ish-ministrit Lefter Koka pas arrestimit të këtij të fundit ditën e sotme lidhur me inceneratorin e Elbasanit. Nga studioja e emisionit “Log.”, gazetari Hoxha bëri me dije se nga kjo bisedë me Nar Kokën, ka mësuar se Lefter Kokës i kishte shkuar informacioni lidhur me arrestimin e tij 4 ditë më parë, por siç ka deklaruar vëllai i tij, ish-ministri në vend të arratisë kishte zgjedhur t’i nënshtrohej gjykimit.
“Unë dua të them vetëm 2 gjëra që më ranë në sy, së pari këto lloj arrestimesh kryhen me një skuadër të ngushtë të BKH me njësi të caktuara të policisë kryesisht janë njësi civile që marrin një objektiv dhe e mbajnë në vëzhgim para se të marrin vendimin e gjykatës. Koka u kap sot në mëngjes në një lokal. Ndërkohë Klodian Zoto nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria, pra ai është në Shqipëri. Edhe fakti që policia s’e ka gjetur dot, por nga kërkimet e tjera rezulton se ai është në Shqipëri. Vijmë te personi i 3 Stela Gugallja, e cila thuhet me sistemin TIMS se është brenda Shqipërisë, por nga informacionet që kam unë është jashtë. Nëse u arrestua i pari Koka pse duhet të dilte kaq shpejt lajmi pa u arrestuar 2 të tjerët? Koka e plotësonte kushtin të ishte një pshk i rëndësishëm. Çfarë dua të them, a ka ndonjë rrjedhje informacioni që këta 2 të tjerët i morën masat dhe i 3 jo?
Nga që kam pasur me Nar Kokën, një personazh shumë kontravers, e kam pyetur në lidhje me arrestimin, sepse ekanë kapur në lokal, s’kanë vajtur për ti bërë spektakël , i kanë thënë kemi këtë urdhër duhet të shkojmë në shtëpi, atje është bërë kontrolli i shtëpisë nja 2 orë. E pyeta a keni pasur dijeni më parë? Nari më tha “na ka ardhur një informacion para 4 ditësh por bëmë kalkulimet dhe vëllai zgjodhi të bënte këtë që bëri të dorëzohej dhe të mos largohej por ti nënshtrohej gjykimit”, tha Hoxha.
E ndërsa Lefter Koka u prangos, biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë shpallur në kërkim. Por vendndodhja e tyre ende nuk është gjetur nga policia. Sistemi “TIMS” i nxjerr të dy në Shqipëri, Zoton dhe bashkëpunëtoren e tij. Mirëpo Artan Hoxha, referuar burimeve të tij tha sonte në Abc se Zoto është në Shqipëri, kurse Gugallja është larguar jashtë vendit.
Lefter Koka u arrestua në mesditë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pas hetimeve që kreu për koncensionin e inceneratorit të Elbasanit. Ai u prangos në shtëpinë e tij në Durrës dhe më pas u transferua në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, i pa prangosur. SPAK ka ngritur ndaj ish-Ministrit Koka dhe dy administratorëve të kompanive fituese të koncensionit, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të dy të shpallur në kërkim, akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit” dhe “Pastrimit të parave”.
SKEMA: SPAK shpjegoi se e gjithë skema lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë ryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit. Pasi është miratuar ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit, SPAK shprehet se kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k. dhe Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për duke faturuar punë fiktive me vlerë 3.6 milion euro. Sipas SPAK, kjo shumë, pikërisht 3.6 milion euro i është dhënë në formë ryshfeti Kokës për shërbimet e bëra ndaj inceneratorit të Elbasanit, i cili u ndërtua në shkelje të të gjitha procedurave. Po ashtu SPAK ka vendosur sekuestrimin e pasurisë të Kokës, konkretisht, “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës, e cila kap vlerën e 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale. Ndërkaq të dyja kompanitë janë vendosur në sekuestro preventive. Po kështu, janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të Klodian Zotos dhe Stela Gugallit.