Zvicra dëshiron të marrë pjesë në projektin e përbashkët të mbrojtjes ajrore të Bashkimit Europian të quajtur “European Sky Shield”, njoftoi qeveria helvete.
Kritikët thonë se ky vendim është i papajtueshëm me traditën e neutralitetit ushtarak zviceran.
“European Sky Shield” është një projekt i mbrojtjes ajrore që, pas fillimit të pushtimit të hapur rus të Ukrainës në vitin 2022, u projektua nga Gjermania me qëllim forcimin e sistemit europian të mbrojtjes ajrore, sipas Reuters.
Ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd do të nënshkruajë një deklaratë që vendi i saj t’i bashkohet këtij projekti gjatë një takimi të ardhshëm me kolegët nga Austria dhe Gjermania.
Edhe Austria synon t’i bashkohet programit të mbrojtjes ajrore “Sky Shield”, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm austriak, Karl Nehammer, u shpreh: “Situata e kërcënimit është rritur jashtëzakonisht shumë për shkak të luftës agresive ruse në Ukrainë. Prandaj, Austria do t’i bashkohet nismës europiane të mbrojtjes ajrore Sky Shield”.
Nehammer ka siguruar që ky program do të ofrojë mbrojtjen e nevojshme të hapësirës ajrore, e cila parandalon rrezikun “në mënyrë efektive”. Data e hyrjes së Austrisë në këtë program nuk është ende e qartë sepse “kriteret se si mund të marrë pjesë Austria janë duke u diskutuar aktualisht”, tha ministri në llogarinë e tij në Twitter, ku ai gjithashtu theksoi se “neutraliteti i Austrisë nuk do të preket”.
Klaudia Tanner, ministre e Mbrojtjes austriake, theksoi, sipas rrjetit austriak ORF, se “ky është një moment historik në historinë e politikës së mbrojtjes”.
Dy ministrat kanë vënë në dukje rëndësinë e përfshirjes së vendit të tyre në programin “Mburoja e Qiellit” dhe kanë ripërsëritur angazhimin e tyre për bashkëpunim: “Asnjë shtet europian nuk mund të përballojë mbrojtjen në mënyrë efektive të hapësirës ajrore i vetëm”.
Iniciativa “Sky Shield”
Ky program europian i mbrojtjes ajrore për territorin, i frymëzuar nga modeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u promovua nga Gjermania, pas pushtimit rus të Ukrainës dhe lindi me qëllimin për të mbyllur boshllëqet në mburojën mbrojtëse të Europës të integruar në sistemin e mbrojtjes së NATO-s.
Kjo nismë shërben si mbrojtje për raketat e lëshuara nga Rusia.
Me synimin për të forcuar Europën veriore, që nga tetori i kaluar kanë marrë pjesë vende si Belgjika, Bullgaria, Finlanda, Norvegjia, Holanda dhe Republika Çeke, ndër të tjera. Danimarka dhe Suedia iu bashkuan këtij projekti, shkurtin e kaluar.