Italia, kampione në fuqi e Europës është jashtë Euro 2024 pasi është mundur me rezultatin e pastër 2-0 nga Zvicra. Një gol i Freuler në pjesën e parë dhe një tjetër i Vargas sapo nisi pjesa e dytë vulosën një ndeshje pa histori, të dominuar nga Xhaka me shokë nga minuta e parë deri te e fundit
Me Granit Xhakën nga minuta e parë dhe me shiritin e kapitenit, helvetët ishin më kërkues qysh në minutat e para të ndeshjes.
Shqiptari Xhaka asistoi bukur për Vargas në minutën e 14, me sulmuesin që nuk u koordinua si duhet. Pas këtij momenti ishte Embolo që i vetëm me Donnarumman u “hipnotizua” nga gardiani italian, që bëri një pritje të bukur vetëm pak metra larg sulmuesit.
Duhej minuta e 37-të e ndeshjes që Vargas të asistonte për Remo Freuler, me këtë të fundit që zhbllokoi ndeshjen dhe i dha epërsinë djemve të Murat Yakin. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me këto shifra, ndërsa fraksioni i dytë nisi me supergolin e Vargas.
Vetëm 29 sekonda nga nisja e pjesës së dytë bënë që Zvicra të gjente golin e dytë dhe të “vuloste” kalimin në çerekfinalen e Dusseldorfit në datën 6 korrik, teksa pret rezultatin e çiftit Angli – Sllovaki për të mësuar kundërshtarin e radhës. Rastin më të mirë te Italia e humbi Scamacca në minutën e 73, që vetëm përballë Sommer goditi shtyllën dhe humbi rastin të rihapte ndeshjen.
Nga ana tjetër Italia largohet e turpëruar nga një turne që ishte kampione në fuqi. Në Grupin B të Euro 2024 Italia kishte rival Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke dalë me katër pikë nga grupi i renditur si vendi i dytë.