Zvicra ka triumfuar në edicionin e 68-të të Festivalit Evropian të Këngës, Eurovision, me këngëtarin Nemo dhe këngën e tij “The Code”.
Nata finale e Eurovision 2024 që u mbajt në Suedi dhuroi spektakël, ndërsa këngëtari Nemo mori një rezultat mbresëlënës prej 591 pikësh.
Vendin e dytë të “Eurovision 2024” e mori Kroacia, ndërsa Ukraina u pozicionua në vend të tretë. E cilësuar si festë e diversitetit evropian, gara e këtij viti është vënë në qendër të vëmendjes politike dhe thirrjet për përjashtimin e Izraelit për shkak të fushatës së tij ushtarake në Gaza.
Me një mesazh paqeje, artisti zviceran, i përlotur nga fitorja, foli për atë që do të dëshironte të ishte vijimësia e festivalit më të madh kontinental muzikor.
“Jam shumë i emocionuar, nuk kam fjalë, dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët, shpresoj që ky konkurs të vazhdojë të qëndrojë për paqen”, u shpreh këngëtari.
Shqipëria mori pjesë në gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit me Besa Kokëdhimën dhe këngën e saj “Titan” por nuk arriti të shkonte në finale aty ku Zvicra arriti të rrëmbejë çmimin e madh të këtij edicioni. Shqipëria i dha 10 pikë Italisë, 7 pikë Greqisë dhe 1 pikë Serbisë.
Protesta të shumta e kanë shoqëruar këtë eveniment. Mijëra vetë në Malmoe kërkuan përjashtimin e Izraelit për shkak të ofensivës në Gaza, por me votat këngëtarja izraelite 20-vjeçare Eden Golan doli e pesta.