Tashmë qytetarët nuk do të presin në radhë të gjata apo me javë të tëra për të marrë shërbimet që iu nevojiten në Bashkitë dhe Njësitë Administrative të vendit. Koha dhe procedura për të tërhequr një dokumentacion apo çfarëdo shërbimi tjetër është reduktuar ndjeshëm falë ngritjes së sporteleve ‘One Stop Shop’ apo thënë ndryshe ‘Zyrat me një ndalesë’. Në këto sportele ofrohen 76 shërbime të integruara për qytetarët. Edhe pse nuk është shtrirë në të gjitha Bashkitë e vendit, sistemi ‘one stop shop’ funksionon në 8 bashki, dhe deri në fund të këtij viti synon të instalohet në 49 gjithsej.
Shërbimet ‘One Stop Shop’
Sistemi ‘One Stop Shop’ ka nisur të zbatohet në vitin 2018, si një projekti i UNDP-së, STAR2 “Konsolidimi i Reformës Administrative dhe Territoriale” në partneritet me Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe bashkitë përfituese. Disa nga shërbimet që ofrohen përmes zyrave me një ndalesë janë: certifikata të ndryshme; ankesa dhe kërkesa të përgjithshme; shërbimet sociale; aplikime për përfitim burse studimore; kërkesë për regjistrime në çerdhe dhe kopshte; kërkesë për vërtetim banimi; kërkesë për strehim; vërtetim për shlyerje taksash vendore; kërkesë për pajisjen me certifikatën e pronësisë (AMPT); licencë për ofrimin e shërbimeve të transportit; autorizim qarkullimi; kërkesë për parkim të rezervuar etj.
‘One Stop Shop’ në Elbasan
Aktuaisht bashkitë Elbasan, Pogradec dhe Maliq janë tre nga tetë bashkitë e vendit ku sistemi Informatik i Zyrës me Një Ndalesë (SIZN), është tashmë plotësisht funksional. PNUD mundësoi një tur me gazetarë nga mediat më të rëndësishme në vend të cilët patën mundësi të njiheshin nga afër me funksionimin e sistemit ‘One Stop Shop’ dhe lehtësirat që ofrohen për qytetarët. Bashkia Elbasan është bashkia e parë që ka mundësuar ofrimin e shërbimeve nëpërmjet SIZN, dhe aktualisht sistemi është funksional në trembëdhjetë njësitë administrative të saj. Gjatë një vizite në Elbasan, gazetarët zhvilluam një bisedë me zyrtarë vendorë dhe qytetarë mbi përfitimet e tyre nga Sistemi i Automatizuar i dhënies së Shërbimeve në Njësinë Administrative Bradashesh.
‘One Stop Shop’ në Maliq
Në Bashkinë Maliq, përveç bërjes funskional të sistemit informatik për shërbimet vendore, bashkia ka vënë në dispozion një ambient modern zyrash shërbimi me një ndalesë ku janë vendosur edhe sportelet e shërbimeve që ofrohen nga qeveria qendrore (ADISA) duke bërë më të thjeshtë aksesin nga qytetarët. Gjatë një bisede me gazetarët, kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu nënvizoi faktin se ky sistem i ‘Zyrave me një Ndalesë’, ka ndikuar ndjeshëm si tek marrja e një shërimi më cilësor për qytetarët ashtu dhe tek performanca e punonjësve të Bashkisë. ‘’ Bashkia Maliq ka rreth 70 mijë banorë. Qytetarët tashmë me shërbimet ‘One Stop Shop’ aplikojnë në një sportel të vetëm pa u lodhur të shkojnë zyrë më zyrë. Kjo është një nismë shumë e mirë që na vë të gjithëve në lëvizje, duke rritur performancën e punonjësve dhe duke shmangur burokracitë. Përveç të tjerave ky sistem eleminon 100% korrupsionin tek zyrtarët,’’ tha z.Topçiu.
‘One Stop Shop’ në Pogradec
Bashkia Pogradec ka filluar ofrimin e shërbimeve nëpërmjet sistemit informatik të zyrës me një ndalesë në Dhjetor 2018, dhe është duke rritur hap pas hapi numrin e shërbimeve të ofruara për qytetarët nëpërmjet këtij sistemi. Sipas statistikave vetëm gjatë muajit mars janë bërë 123 aplikime nga qytetarët, të cilave iu është kthyer përgjigje nga ana e administratës.
Pas një vlerësimi mbarëkombëtar mbi shërbimet e ofruara në tipologji të ndryshme të 61 Bashkive të Shqipërisë është përcaktuar përfshirja në sistem e mesatarisht 76 shërbimeve. Ndërkohë sistemi lejon shtimin e shërbimeve nga përdoruesi sipas nevojave specifike të institucionit vendor. Projekti STAR 2 po punon për të forcuar kapacitetet institucionale dhe administrative të 61 bashkive të Shqipërisë; rritjen e efikasitetit të tyre në ofrimin e shërbimeve vendore dhe rritjen e demokracisë vendore.
STAR 2 mbështetet nga shumë partnerë ndërkombëtarë të zhvillimit përmes një mekanizmi të përbashkët financimi, ku përfshihen: Bashkimin Evropian, Qeveritë e Suedisë, Italisë, Zvicrës dhe USAID, UNDP dhe Qeverisë së Shqipërisë. Projekti zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme.