Sport Zyrtare: Chelsea shkarkon Frank Lampardin, e pason Tuchel

Zyrtare: Chelsea shkarkon Frank Lampardin, e pason Tuchel

Frank Lampard nga dita e sotme nuk do të jetë më trajner i Chelsea-t. Pas paralajmërimit të medieve në Angli erdhi edhe zyrtarizimi nga klubi i largimit të 42-vjeçarit nga stoli i bluve të Londrës për shkak të rezultateve të dobëta, çka reflektohet me klasifikimin në vendin e 9-të në Premier League. Lampard bëhet trajneri i 10-të i shkarkuar gjatë epokës së drejtimit të klubit nga manjati rus, Roman Abramovich. Fitorja e së dielës ndaj Luton Town, që kualifikoi Chelsea-n në FA Cup nuk ka qenë provë e mjaftueshme për të shpëtuar ish-mesfushorin nga largimi.

Ish-trajneri i Paris Saint-Germain dhe Borussia Dortmundit, Thomas Tuchel, është në “pole” për zëvendësimin e Lampardit. Bisedimet me Tuchelin, i cili është trajner i lirë pas shkarkimit nga drejtuesit e PSG-së në fund të dhjetorit, po vijojnë por ende nuk është arritur marrëveshja.

Edhe trajneri i Leipzigut, Julian Nagelsmann, pëlqehet shumë nga drejtuesit e Chelsea-t, por duket e vështirë që ai të shkëputet nga klubi gjerman në mes të sezonit, ndaj dhe Tuchel mbetet pa rivalë për të marrë drejtimin e bluve të Londrës.