Pas përvojës së tij te Los Angeles FC dhe lamtumirës së tij me futbollin e luajtur në dhjetor të vitit 2023, Giorgio Chiellini rikthehet te Juventusi. Por këtë herë si drejtues.
Ish-kapiteni i cili ka dhënë një kontribut të madh te “Zonja e vjetër” do të marrë detyrën e Shefit të Marrëdhënieve Institucionale të Futbollit në klub.
Ai do të punojë ngushtë me administratorin e deleguar Maurizio Scanavino dhe do të përfaqësojë klubin në marrëdhëniet me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit.
Chiellini, i cili ka bërë 561 paraqitje për “Zonjën e vjetër” dhe ka fituar 9 kampionate, tani do të duhet të mësojë se si funksionon Juventusi nga ana administrative, nga aspektet financiare deri tek ato që lidhen me marketingun.
Leksionet e para për mënyrën se si funksionon një klub ai i ka marrë në SHBA, ku madje mori leksione menaxhimi te Los Anxhels FC.
Për më tepër që ai ka edhe një diplomë për Administrim Biznesi, të marrë kur ende ishte futbollist profesionist.
Klubi torinez duke njoftuar rikthimin e Chiellinit, shprehu entuziazëm që me familjen bardhezi u bashkua një emër i cili ka dhënë shumë për klubin dhe ka qenë pjesë e sukseseve të mëdha.
Chiellini ka luajtur për Juventusin për 17 vite.