Qeveria e Republikës së Kosovës, gjatë mbledhjes së ditës së sotme ka vendosur që të ndalojë funksionimin e shërbimeve të “TikTok-ut” në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës.
Ky hap është ndërmarrë me qëllim eliminimin e rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i kësaj platforme.
Me këtë vendim, detyrohen të gjitha institucionet publike, të cilat janë pronarë dhe administrojnë me rrjete shtetërore të komunikimit, të vendosin kufizime e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social “TikTok” në ambientet zyrtare të punës.
Po ashtu, detyrohen të gjithë zyrtarët publikë që kanë në shfrytëzim pajisje zyrtare që ta fshinë aplikacionin së bashkë me çdo dosje që shoqërohet me instalimin e tij.