Avioni ukrainas me 176 njerëz në bord që u rrëzua të mërkurën pranë Teheranit, u godit gabimisht nga Irani.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja amerikane CBS, zyrtarët amerikanë thonë se besojnë se “Ukrainian International Airlines Boeing 737-800” u godit nga një raketë.
Rrjeti CBS citon 3 burime të rëndësishme për këtë lajm, një nga Pentagoni, një nga inteligjenca amerikane dhe një tjetër nga shërbimet sekrete irakiane. Në këtë tragjedi ajrore humbën jetën 176 persona që ndodheshin në bordin e avionit.
Më herët Ukraina tha se po ekzaminonte nëse avioni ishte goditur nga një raketë, por Irani e përjashtoi këtë mundësi.
Rrëzimi i avionit erdhi vetëm pak orë pasi Irani ndërmori sulme me raketa ndaj dy bazave ajrore në Irak, ku qëndronin forcat amerikane.
CBS News, duke cituar shërbimet amerikane të inteligjencës, shkruan se një satelit kishte detektuar drita të lëshimit të dy raketave, që ishte pasuar nga një dritë e shpërthimit.