Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, i arrestuar një ditë më parë me dy të tjerë për shpërdorim detyre, dyshohet se ishte në dijeni të mashtrimit ndaj shtetit shqiptar.
Sipas dosjes hetimore, thuhet se Ilir Thana u shpronësua dhe u dëmshpërblye në vitin 2015 në mënyrë të paligjshme dhe Gjokutaj ka firmosur vendimin në shkelje të ligjit.
Gjokutaj, bashkë me drejtorin juridik të kësaj ministrie, Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesin ligjor Alban Ruli, akuzohen për shpërdorim detyre për këtë proces kompensimi, ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 1.2 mln euro.
“Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë është vënë në dijeni se pagesa e detyrimit është kryer e plotë. Pavarësisht kësaj MEMO-je, është vijuar me ekzekutimin për një vendim të ekzekutuar tashmë dhe në kundërshtim me ligjin, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit”, – lexohet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, del se Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme, duke marrë thuajse çdo ditë shuma që varionin deri në 1 mln lekë, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2022.
Në dosjen hetimore, sqarohet mënyra se si qytetari nën hetim Ilir Thana, ka përfituar para të paligjshme nga Ministria e Financave.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur”, – thuhet në dosje.
Në dosje, theksohet se funksionarë të Ministrisë së Financave kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë bërë të mundur kalimin deri në këtë moment të shumës prej 48.118.366 lekë në llogarinë e Ilir Thanës dhe Shpresa Priftit (motra e tij).
Në vitin 2015, nga ana e përmbaruesit gjyqësor Suela Ndreca, i është kërkuar Ministrisë së Financave vënia në ekzekutim e vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me nr.16 datë 14.07.2000.
Gjithçka lidhet me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022 dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr.2 në vitin 1992.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm.
Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës.
Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139 lekë, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.
Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022 objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 lekë, duke u hequr dhe trajtuar si ish-pronar Ilir Thanën, në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.
E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.
Por, Ministria e Financave, vendosi të kalojë në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh.
Dyshohet se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe Gjokutajt, kanë shpërdoruar detyrën, duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumës së kaluar ndaj Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.
Në lidhje me këtë çështje, Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i zyrtarit të lartë në Ministrinë e Financave, Arlind Gjokutajt, hedh akuza se Prokuroria e Tiranës është në shkelje flagrante të Kushtetutës.
Ai shprehet se kërkesa e prokurorit të çështjes për të lënë në burg të akuzuarin, është bërë pa u ballafaquar në asnjë moment me Gjokutajn.
“Njoftimi i Prokurorisë pas caktimit të masës së sigurimit ‘arrest në burg’ brenda ditës, është një praktikë e paprecedentë, tejet shqetësuese për standardet elementare të një shteti të së drejtës dhe bëhet për protagonizëm, jo për drejtësi nga një prokurori e lodhur dhe me një reputacion skandaloz për zvarritje çështjesh”, – shkruan Genc Gjokutaj në një postim në Facebook.
Sipas tij, çështja në fjalë është një proces administrativ civil, që nuk ka të bëjë fare me dispozitat e Kodit Penal dhe nuk bëhet fjalë për asnjë lloj korrupsioni apo abuzimi me detyrën nga një individ i respektuar si një zyrtar i pakompromentueshëm i shtetit. “Ajo në vetvete përbën ekzekutimin e një titulli ekzekutiv pa asnjë lloj përfitimi material apo çdo lloj favori tjetër”, përfundon ai.