Sokol Dedja, drejtori për politikat në ministrinë e Jashtme ka folur në “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani për situatën në Ukrainë dhe rolin e Shqipërisë në krah të SHBA. Dedja tha se ky pozicion i jep peshë pozicionit të Shqipërisë si anëtar i Këshillit të Sigurimit.
“Është rritur besimi ndaj politikës së jashtme të vendit. Është forcuar bashkëpunimi me SHBA. SHBA janë të gatshme të ndajnë me Shqipërinë bashkë autorësinë në lidhje me këtë çështje. Pengmbajtësi harton dokumentin fillestar mbi të cilin këshilli i sigurimit diskuton mbi këtë çështjen. I jep peshë dhe visibilitet pozicionit tonë si anëtar i këshillit të sigurimit”, tha Dedja.
Ai u shpreh se takimi me sekretarin amerikan të Shtetit Anthony Blinken ka një rëndësi të veçantë duke zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Takimi me Blinken ka rëndësi të veçantë dhe vjen në një moment të veçantë. Është momenti për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit tonë. Partneriteti për përballimin e sfidave globale dhe rajonale. Ka një vend të rëndësishëm për Shqipërinë. Është momenti për të diskutuar edhe mbështetjen që jep SHBA për procesin e integrimit nëpërmjet mbështetjes së reformave në vendin tonë”, u shpreh ai.
Dedja u ndal edhe tek thirrja e Ministrisë së Jashtme për qytetarët shqiptarë në Ukrainë që të largohen nga vendi përballë një rreziku për shpërthimin e mundshëm të luftës më Rusinë. Ai u shpreh se mes Ukrainës dhe Rusisë ka një konflikt real dhe frikë për përshkallëzim të situatës dhe duke marrë parasysh skenarin më të keq, është bërë njoftimi në kohë i qytetarëve shqiptarë në mënyrë që secili të marrë masa.
“I kemi drejtuar thirrje qytetarëve tanë që të mos qëndrojnë në Ukrainë. Masat për të udhëtuar nga Ukraina janë krejtësisht normale. Mes Ukrainës dhe Rusisë ka një konflikt real dhe frikë për përshkallëzim të situatës. Është situatë e vështirë shumë. Ende kemi shpresa për ndërmjetësimin me rrugë diplomatike. Na duhet të mendojmë edhe për skenarin më të keq. Kjo është arsyeja pse kemi bërë këtë thirrje për qytetarët shqiptarë para se të vijmë te skenari më i keq. Është mirë që çdo qytetar shqiptar që ndodhet atje të bëjë llogaritë e veta. Deri tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë për mbështetje për t’u larguar nga Ukraina”, deklaroi Dedja.