Ekonomi 1 në 17 shqiptarë punon në shtet. Në Gjirokastër dy herë më...

1 në 17 shqiptarë punon në shtet. Në Gjirokastër dy herë më shumë punonjës për frymë se në Fier

Përafërsisht, 1 në 17 shqiptarë punon në shtet, në një institucion të varësisë të administratës qendrore a lokale. Në përqindje, rezulton se, 5.7% e shqiptarëve punon në administratën publike, ose 165 mijë persona, mbi totalin e popullsisë, dhe jo mbi numrin e të punësuarve. Por, kjo normë ndryshon ndjeshëm në bazë të qarqeve, edhe për shkak të popullsisë.

Në vend të parë, në nivel republike, qëndron Gjirokastra, ku 1 në 12 banorë, punon në shtet, ose 8.5% e popullsisë totale të qarkut, ku në fakt një pjesë e madhe janë ose në moshën e pensionit, ose janë nën moshën e lejuar të punës, pra nën 15 vjeç.

Po të marrim parasysh, që të punësuarit në administratë janë mbi 20 vjeç, atëherë rezulton se, në Gjirokastër, puna në shtet, është puna më e përhapur.

Pas Gjirokastrës ndjek Tirana, ku një në 13 banorë punon në administratë. Pavarësisht numrit të lartë të popullsisë, Tirana qëndron në krye të listës pasi në Kryeqytet është përqendruar pjesa dërrmuese e aparatit të shtetit, kryesisht ai qendror.

Në vend të tretë është Dibra, me një raport një në 14. Nga krahu tjetër kemi qytete, ku raporti është mjaft i thellë. Në Fier, vetëm 1 në 24 banorë është i punësuar në shtet, në Elbasan dhe Durrës, një në 23. Kjo, pasi këto janë edhe tre qarqet me popullsinë më të madhe pas Tiranës.

Gjithsesi, përveç kryeqytetit, ku është e logjikshme që të përqendrohet administrata, shifrat për qytetet e tjera tregojnë një disproporcion të madh, çka çon në hendeqe të mëdha. Në disa qytete ka dy herë më shumë punonjës publik në shërbim të popullatës sesa në qarqe të tjera.

/SCAN