Aktualitet 10 mijë fëmijë në një vit! Emigrantët shqiptarë shtojnë popullsinë e Italisë

10 mijë fëmijë në një vit! Emigrantët shqiptarë shtojnë popullsinë e Italisë

Sipas të dhënave më të fundit të ISTAT, nga 458.151 fëmijët e lindur gjatë 2017-ës, 9823 kanë të paktën njërin prind shqiptar. Këto shifra bëhen publike nga raporti më i fundit i publikuar nga Instituti i Statistikave Italiane. Ndërsa në Itali bëhet fjalë për rreth 10 mijë lindje, në total në Shqipëri në të njëjtin vit janë regjistruar mbi 30 mijë lindje.

Ndërsa niveli i fertilitetit po pëson rënie në të gjithë botën, fenomen për të cilin as Shqipëria nuk është përjashtuar, statistikat tregojnë se në Itali ku niveli i emigracionit shqiptar është i lartë, lindjet janë shtuar.

Instituti i Statistikave Italiane ka publikuar një raport përmbyllës për 2017, gjatë të cilit thekson se lindjet e fëmijëve nga të paktën një prind shqiptar janë rritur. Sipas shifrave, kanë të paktën njërin prind shqiptar 9,823 të sapolindur të 2017-ës (gjatë vitit 2016 numëroheshin 9,882 fëmijë me paktën njërin prind shqiptar).

Më në hollësi, nga raporti shihet që 7,273 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 7,278 fëmijë në vitin 2016 dhe 7,830 në 2015-ën), 698 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 921 rasteve të vitit 2016 e 872 të vitit 2015) dhe 1,852 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1,683 të lindurit gjatë 2016-ës e 1,427 të 2015-ës), shkruan monitor.

Siç vërehet nga shifrat, po shtohen lindjet nga çiftet e përziera, ku nëna është shqiptare dhe babai italian. Mendohet se shumë prej këtyre çifteve në të vërtetë janë të formuara nga shqiptarë, por njëri prej tyre ka marrë ndërkohë shtetësinë italiane.

Mediat italiane theksojnë edhe se mund të ketë një numër më të lartë të sapolindurish shqiptarë në Itali por nuk identifikohen nga statistikat si të tillë pasi mund të lindin fëmijë nga çifte shqiptarësh, që tashmë kanë fituar që të dy shtetësinë italiane.

Në Itali, sipas të dhënave nga Ministria italiane e Punës dhe Çështjeve Sociale, që i referohen fillimit të vitit 2018 kishte rreth 442 mijë emigrantë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi. Ndërsa janë dhe 148 mijë të tjerë që kanë marrë që prej vitit 2002 nënshtetësinë italiane, pra në total rreth 590 mijë. Në total, sipas përllogaritjeve të ‘Monitor’ në 2017-n kishte 17 lindje për 1000 shqiptarë në Itali.

Sipas INSTAT në Shqipëri sakaq, gjatë 2017-ës kanë lindur 30.869 fëmijë, duke shënuar një rënie me 2,7 %, krahasuar me një vit më parë. Arsyet sipas ekspertëve mendohet se lidhen me dy fenomene: emigracioni i lartë dhe rënia e fertilitetit të femrat, të shoqëruara me plakjen graduale të popullsisë. E llogaritur për 1000 banorë, numri i lindjeve në 2017-n ishte 10.5, gati 40% më i ulët se nga shqiptarët që jetojnë në Itali.