Aktualitet “10 milion lekë gjobë, ose të mbyll biznesin”, arrestohet nga SPAK inspektori...

“10 milion lekë gjobë, ose të mbyll biznesin”, arrestohet nga SPAK inspektori i Inspektoratit të Shëndetësisë në Tiranë

Një inspektor pranë Inspektoratit të Shëndetësisë është arrestuar nga policia me urdhër të SPAK, pasi akuzohet se, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme tregtare në Tiranë, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Ndërkohë, për t’u hequr këtë gjobë, inspektori iu kërkonte këtyre bizneseve shumës monetare prej 500 mijë lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve

Në pranga ka rënë shtetasi M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit, gjatë arrestimit, iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200 mijë lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.”

Njoftimi i SPAK:

“Më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoratit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.

Sipas informacionit paraprak rezulton se, ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.

Sa më sipër, Prokuroria e Posaçme po më datë 24.05.2023, ka regjistruar kryesisht procedimin penal me Nr.126/2023 për konsumimin e elementëve të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilit iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqindë mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme.”