Të apasionuarit pas bukurive natyrore nuk do t’i linin pa vizituar dhjetë parqet dhe rezervat natyrore të klasifikuara si më të bukurat në Europë. Terreni i vështirë e bën të pamundur të shijosh të gjitha bukuritë e këtyre zonave përrallore, që ngrihen midis detit, maleve dhe kodrave të gjelbra, por në secilin rast, natyra ka krijuar kryevepra të vërteta dhe duhet të vizitohen të paktën një herë.
Parku Kombëtar në Arkipelakun e Toskanës, Itali
U krijua në vitin 1996 për të mbrojtur zonën me të njëjtin emër: Përfshihen 7 ishuj të mrekullueshëm Elba, Giglio, Capraia, Gorgona, Pianosa, Giannutri dhe Montecristo, por edhe disa ishuj të vegjël që shtrihen midis Toscana-s dhe Corsica-s. Është Parku detar më i madh në Evropë, me një zonë të mbrojtur 56,766 hektarë det dhe 17,887 hektarë tokë në krahinat e Grosseto-s dhe Livorno-s.
Parku Kombëtar në Belluno, Itali
Peisazhi me hapësirat e mëdha me livadhe, tokë bujqësore dhe pyje të lë pa fjalë. Parku është krijuar në vitin 1990 dhe sipërfaqja e tij është më shumë se 30 mijë hektarë, ku përfshihen liqene të shumta dhe burime uji të pastër. Bukuria dhe diversiteti e bën këtë rezervë një nga më të bukurat në Evropë.
Parku Kombëtar i Ecris, në Alpe dhe Val d’Isere, Francë
Parku është krijuar në vitin 1973, përfshin më shumë se 91,800 hektarë territor të lartë malor, me 100 male mbi 3000 metra mbi nivelin e detit. Një nga pikat më interesante është në malin Barra des Ecrins rreth 4102 metra mbi nivelin e detit. Përveç admirimit të peizazheve të këndshme, vizitorët mund të shijojnë takimet me lloje të ndryshme kafshësh.
Rezerva natyrore Scandola, Korsika
Parku përfshin zonë detare dhe tokësore. Është krijuar në vitin 1975 në Parkun Natyror Rajonal të Korsikës është pjesë e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Scandola është një gadishull i vendosur në bregun perëndimor të ishullit të Korsikës, me gurë graniti të kuq dhe male spektakolare me pamje nga deti. Në këtë zonë jetojnë disa lloje të rrallë zogjsh detarë dhe rriten disa lloje bimësh të mbrojtura. Parku gjithashtu mund të vizitohet me varkë, por në disa zona ankorimi nuk lejohet.
Parku Kombëtar detaro-tokësor i arkipelagut Cabrera – Baleares, Spanjë
Ndodhet në jug të Majorkas dhe shtrihet në 10,021 hektarë, 8073 ha zonë detare dhe 1318 ha zonë tokësore, në një prej parajsave më të mirëmbajtura të Mesdheut. Ishulli i vogël i Carbrera, i destinuar që nga viti 1916 për përdorim ushtarak, ka mbetur i paprekur dhe i mbrojtur nga flukset turistike.
Parku Kombëtar i liqeneve të Plitvic, Lika, Kroaci
Është parku më i famshëm në Kroaci dhe trashëgimi e UNESCO-s. Bukuria e tij qëndron në gjerdanin e liqeneve, ujëvarave dhe burimeve, të rrethuara nga pyjet e gjelbër, të cilat krijojnë një pamje përrallore.
Parku Durmitor, Mali i Zi
Parku është vendosur në një rajon të gjerë malor në veri-perëndim të vendit, kufizohet nga lumenjtë Piva dhe Tara: në mes të dy rrjedhave janë 23 maja malore mbi 2300 metra të larta. Kanioni i Tara-s është më i madhi në Evropë, ku rriten mbi 1500 lloje bimësh dhe 130 specie zogjsh.
Parku Kombëtar Triglav, Slloveni
Është i vetmi park i këtij lloji në Slloveni. Parku ka marrë emrin nga mali Triglav, që është 2864 m mbi nivelin e detit, më i larti në territorin e Parkut dhe brenda kufijve të këtij vendi. Triglav do të thotë “me tri koka”, dhe i referohet formës së malit. Ky mal është një simbol i vërtetë patriotik dhe është vendosur në uniforma ushtarake dhe mbi flamurin kombëtar.
Lake District, Cumbria, Mbretëri e Bashkuar
Është një rajon magjik, me një sipërfaqe natyrore prej 2300 kilometrash. Peisazhi është i dominuar nga kodra të mbuluara me pyje, i pasur me liqene të panumërta. Bukuritë e tij kanë frymëzuar poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm. Në këtë rajon gjendet mali më i lartë, Scafell Pike 997 metra dhe liqeni më i thellë, Wast Water.
Parku Kombëtar Sarek, Suedi
Parku ndodhet në Laplandin suedez dhe ka një sipërfaqe prej pothuajse 200 mijë hektarësh. Kjo zonë e mbrojtur njihet në të gjithë Europën dhe përfshin shumë terrene të vështira për t’u vizituar, ka male të mbuluara nga akullnaja dhe lugina të shumta.