Pep Guardiola është trajneri që gjatë karrierës së tij të shkëlqyer ka bërë që klubet e tij të shpenzojnë më së shumti, fillimisht te Barcelona, më pas te Bayern Munich dhe tani te Manchester City. Menaxheri i kampionëve të Europës dominon renditjen e hartuar nga “The Sun” mbi teknikët që kanë harxhuar më shumë.
Askush në historinë e futbollit nuk ka shpenzuar ndonjëherë aq shumë për blerjen e lojtarëve të rinj sa klubet e Guardiolës, gati dy miliardë euro. Vetëm në “Etihad”, ku zbarkoi në vitin 2016, trajneri katalanas ka investuar mbi 1 miliard euro për regjistrimin e 50 lojtarëve.
Por edhe në të kaluarën ai nuk i ka kursyer asnjëherë shpenzimet, siç konfirmohet nga blerja e Zlatan Ibrahimovic kur ishte në pankinën e katalanasve (mbi 70 milionë) apo ajo e Arturo Vidal (42 milionë) te Bayern.
Pas Guardiolës, por me një karrierë më të gjatë, qëndron Jose Mourinho, rreth 100 milionë paund (pothuajse 120 milionë euro) prapa. Një hendek i justifikuar nga vitet e fundit të portugezit, i cili si te Tottenham-i ashtu dhe mbi të gjitha te Roma duhej të reduktonte kërkesat e tij. Kohët kur ai kënaqej me nënshkrime luksoze si ato të Paul Pogba dhe Romelu Lukaku duken të largëta.
Në shkallën më të ulët të podiumit është italiani i parë në renditje, Carlo Ancelotti (1.6 miliardë euro të shpenzuara), i cili krenohet me një karrierë edhe më të gjatë dhe më të ndritur, në top klubet evropiane, nga PSG, Milan dhe Bayern Munich e deri te Real Madrid, ku Jude Bellingham mbërriti këtë verë për shumën rekord prej 130 milionë euro.
Në top 10 janë edhe dy italianë të tjerë: Massimiliano Allegri, me 1.3 miliardë të shpenzuara, vjen në vendin e katërt, ndërsa Antonio Conte është i teti me pak më shumë se 1 miliard.
Diego Simeone renditet në vendin e pestë me 1.21 miliardë euro shpenzime. Pas tij vjen një tjetër amerikano-jugor si kiliani Manuel Pellegrini me 1.2 miliardë euro.
Thomas Tuchel mban vendin e shtatë me 1.19 miliardë euro. Pas tij, siç e përmendëm më sipër, është Conte. Në vendin e nëntë renditet Mauricio Pochettino me 1.15 miliardë euro. Dhe, vendi i 10-të mbahet nga gjermani Jurgen Klopp me 1.13 miliardë euro shpenzime.
Klasifikimi
1- Pep Guardiola – 1,98 miliardë euro në 15 vite karrierë (mesatarja 132 milionë euro në sezon);
2- Josè Mourinho – 1,86 miliardë euro në 25 vite karrierë (mesatarja 74 milionë euro në sezon);
3- Carlo Ancelotti – 1,63 miliardë euro në 29 vite karrierë (mesatarja 56 milionë euro në sezon);
4- Massimiliano Allegri – 1,4 miliardë euro in 19 vite karrierë (mesatarja 73 milionë euro në sezon);
5- Diego Pablo Simeone – 1,21 miliardë euro në 22 vite karrierë (mesatarja 55 milionë uro në sezon);
6- Manuel Pellegrini – 1,2 miliardë euro në 22 vite karrierë (mesatarja 54 milionë euro në sezon);
7- Thomas Tuchel – 1,19 miliardë euro në 16 vite karrierë (mesatarja 74 milionë euro në sezon);
8- Antonio Conte – 1,16 miliardë euro në 14 vite karrierë, janë hequr dy vitet në Kombëtare (mesatarja 82 milionë euro në sezon);
9- Mauricio Pochettino – 1,15 miliardë euro në 16 vite karrierë (mesatarja 71 milionë euro në sezon);
10- Jurgen Klopp – 1,13 miliardë euro në 24 vite karrierë (mesatarja 47 milionë euro në sezon).