19 vite në një profesion janë shumë, sidomos kur bëhet fjalë për një arbitër futbolli. Ky është rasti i Michael Dean, një nga gjyqtarët më të njohur në futbollin anglez, që spikat për zbatimin rigoroz të rregullores në fushën e blertë dhe numrin e kartonëve të kuq të akorduar, plot 100 të tillë.
Askush nuk ka qenë i mbrojtur gjatë gjithë këtyre viteve nga vendimet e gjyqtarit në fjalë, që mes “viktimave” ka pasur edhe futbollistë të tillë si Fernando Torres, Santi Cazorla, Juan Mata, Thibaut Courtois, Zabaleta apo Chico Flores. Ashley Young ishte lojtari i fundit, që u “skuq” të martën në mbrëmje nga ky gjyqtar anglez. Lojtari i Manchester United u dëbua nga fusha pas dy kartonëve të verdhë në humbjen 2-1 kundër Wolves.
Ky karton e ka futur në histori Michael Dean, sepse rrumbullakosi numrin 100 të kartonëve të kuq në karrierë si gjyqtar.
Asnjë arbitër nuk ka dhënë aq shumë kartonë të kuq sa ai, asnjë arbitër nuk ka dëbuar nga fusha aq shumë lojtarë sa Dean, më shumë se 67 të tillë. Ky gjyqtar anglez ka bërë drejtësi në 477 ndeshje, një numër rekord në profesionin e tij në Angli. Mesatarja e kartonëve të kuq të Dean është 0.21 për ndeshje, një tjetër “rekord”, që e pozicionon atë në një vend të privilegjuar, në “top 10” e gjyqtarëve të historisë së Premier League.
Sa për kartonët e verdhë, edhe atje nuk kursehet Michael Dean. Ai e ka treguar 1731 herë të verdhën, çka “përkthehet” ndryshe me një mesatare prej 3.63 kartonë të verdhë për ndeshje. Kjo e bën arbitrin në fjalë anglez të shtatin, me mesataren më të lartë në këtë aspekt.