Çfarë do të bënit po të kishit 100 mijë dollarë? Do të blinit një Porsche 911 Carrera të vitit 2020, apo do të blinit një teke uiski?
Nuk është një uiski çfarëdo. Një shishe “Macallan Fine and Rare” theu rekordin botëror si uiski më i shtrenjtë në botë, kur u shit për 1,9 milionë dollarë, në shtëpinë e ankandeve “Sotheby” në Londër. Vetë “Sotheby” tha se priste që shishja të shitej për maksimumi 500 mijë dollarë, por çmimi i tejkaloi parashikimet. Praktikisht, një teke kushton 100 mijë dollarë, 3 mijë më shumë se sa makina Porsche.
Ajo që e bën shishen kaq të shtrenjtë është fakti që uiski është pjesë e një serie të kufizuar, të distiluar në vitin 1926 dhe të futur në shishe vetëm pas 60 vitesh, në vitin 1986. Sipas “Macallan”, në botë ka vetëm 40 shishe të tilla.
Rekordi i mëparshëm botëror për shishen më të shtrenjtë të uiskit mbahej po nga “Macallan”, gjithashtu prodhim i vitit 1926, i shitur për 1,5 milionë dollarë në vitin 2018.