Në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Pilur të Himarës, ku vlerësoi 6 Kapedanët e Bregut, atdhetarë të spikatur të kësaj treve.
Meta çmoi kontributin e tyre të shquar në mbrojtjen e interesave kombëtare, Pavarësisë, tërësisë territoriale dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, të dalluar për guximin e trimërinë në organizimin e Labërisë në luftë kundër pushtuesve italianë në vitin 1920.
Fillimisht Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, autoritete vendore dhe dhjetëra banorë të zonës, vizitoi disa nga ndërtesat historike dhe kishën e Shën Nikollës, si dhe u njoh me nismën e intelektualëve të fshatit për ndërtimin e shtëpisë së polifonisë, muzeut historik dhe librarisë.
Në një ceremoni solemne, të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, Presidenti Meta dekoroi Spiro Jorgo Koleka (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe Kolë Mërkurin (pas vdekjes) e Nase Beni (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.
Me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta vlerësoi Ismail Kuçin (pas vdekjes), ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Arif Mëhillaj (pas vdekjes) dhe Avdul Kuçi (pas vdekjes).
“Tashmë jemi në prag të kulmit të festimeve me krenari të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës. Ne kujtojmë përherë me shumë mirënjohje aktin heroik, dinjitetin, shpirtin e pamposhtur, sakrificat dhe vetëmohimin e luftëtarëve tanë. Vlerësimi ynë për këtë epope madhështore rritet përditë duke sjell ndërmend rëndësinë e madhe për fatet e Atdheut që pati kjo Luftë”, tha Presidenti.
Pa triumfin e shqiptarëve në Luftën e Vlorës, Meta tha se “tërësia territoriale dhe shteti shqiptar rrezikoheshin të shkatërroheshin përpara furisë dhe orekseve gllabëruese të fqinjëve tanë”.
“Mos të harrojmë se pema e lirisë lulëzon veç me gjakun, mundin dhe sakrificat e dëshmorëve dhe bijve më të mirë të një Kombi. Nderimin tonë për këtë luftë po e nis pikërisht këtu në Pilur të Himarës, për të vazhduar në Kala të Tepelenës nga ku u nisën çetat e Jugut, më pas në Drashovicën e betejës finale, për të ndalur në Vlorën tonë heroike”, tha Presidenti.