24 orët e fundit shënuan një rritje të viktimave nga koronavirusi. 11 persona humbën jetën, duke e çuar në 2,966 numrin total të viktimave që nga nisja e pandemisë.
Sipas raportit ditor nga Ministria e Shëndetësisë, pacientët ishin nga qytete të ndryshme të vendit si Kruja, Vlora, Tirana, Pogradeci, Lushnja, Gramshi, Kavaja, Berati, Durrësi, Korça dhe Fieri. Më i riu mes tyre vetëm 51 vjeç.
Sa i përket infektimeve ditore u konfirmuan gjatë së hënës 230 persona, thuajse 50% më pak se 1 ditë më parë. Megjithatë edhe numri i testimeve ka qenë më i ulët, vetëm 1961 të tilla. Prej tyre 124 raste pozitive i përkasin Tiranës, 25 Beratit, 10 Fierit e 8 Vlorës dhe Sarandës.
Aktualisht në spitalet Covid po marrin trajtim 176 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar. Ndërsa 8,012 persona janë ende aktivë me Covid-19 në të 12 qarqet e vendit.