Kryeministri Edi Rama dhe familjarë të viktimave të “21 Janarit” kanë kryer homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet në nder të 4 protestuesve të cilët humbën jetën në protestën e 21 Janarit 2011.
Si çdo vit, kreu i qeverisë i shoqëruar edhe nga familjarët e të afërmit e viktimave, por dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kanë vendosur lule në bulevard në vendet ku u vra secili prej 4 protestuesve.
Pas homazheve të kryera, Kryeministri Rama dhe familjarët e viktimave vijuan takimin pa praninë e mediave në vilën 31 që ndodhet në zonën e ish-bllokut.
Nga protesta e 21 Janarit në vitin 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja.
Më herët, kryeministri shkroi në Facebook se drejtësia vonon, po nuk harron. Ai thekson se vrasja e 4 protestuesve kërkon drejtësi.
Vitin e kaluar, prokuroria ka rihapur hetimet për vrasjet e 21 janarit, pas kërkesës së Policisë së Tiranës, ndërsa familjarët kërkojnë ende drejtësi.