Aktualitet Policia zbulon skemën e kalimit të mallrave kontrabandë në Hanin e Hotit

Policia zbulon skemën e kalimit të mallrave kontrabandë në Hanin e Hotit

Policia kufitare në Hanin e Hotit ka sekuestruar mallra kontrabandë në kufi. Autoritetet sqarojnë se janë proceduar tre persona, R. Sh, 59 vjeç, I. Rr, 48 vjeç dhe D. M, 28 vjeç, ku i fundit me detyrë doganier.

Policia sqaron se 59-vjeçari është konstatuar në doganën e Hanit të Hotit, me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa i deklaruar në organet doganore. Më pas atij i është bërë një kontroll në banesë dhe i është gjetur një armë gjahu.

Më pas është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve me administrator I. Rr, të cilin dyshohet se R. Sh e furnizonte me produkte kontrabandë, ku janë gjetur disa mallra dhe produkte të ndryshme të dyshuara kontrabandë.

Në të gjithë këtë skemë të kalimit të mallrave kontrabandë akuzohet se është përfshirë dhe doganieri 28-vjeçar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar 1 armë gjahu dhe disa mallra kontrabandë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.