Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën se në Kosovë janë kthyer 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës në Siri.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se kthimi ishte operacion i qeverisë së Kosovës me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
Rashit Qalaj, drejtor i policisë së Kosovës, tha se në mesin e të kthyerve janë “katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”.
Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.
Ministri i Drejtësisë, tha se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim. Tashmë katër luftëtarëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh me kërkesë të prokurorisë së posaçme.
“Gra dhe fëmijë ishin viktima të papërgjegjësisë së personave që për interesa të ndryshme i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre, duke i lënë me pasoja të mëdha e në raste të caktuara edhe viktima”, tha ministri Tahiri.
Operacioni i kthimit u krye të premten rreth mesnatës.
Ambasada amerikane lëshoi të shtunën një komunikatë në të cilën thuhet se “Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë. Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e rrugës së njëjtë”.
Në komunikatë thuhet se “Shtetet e Bashkuara u janë mirënjohëse Forcave Demokratike të Sirisë për mbështetjen e riatdhesimit dhe për vazhdimin e mbajtjes humane nën arrest të qindra luftëtarëve të ISIS-it nga dhjetëra vende tjera”.
Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.